Kategoria Superiore

Egnatia dhe Kukësi kërkojnë reagimin, ndeshjet e fundit lanë “shije të hidhur”

Egnatia dhe Kukësi kërkojnë rikthimin te fitorja këtë të dielë. Verilindorët e Diego Longos, shkojnë në Rrogozhinë me dëshirën e madhe për të hedhur pas disfatën e sikletshme 4-0 të pësuar me Tiranën, dhe trajneri italian këtë herë do të ketë në dispozicion edhe Jorgo Pëllumbin, mbrojtësin e afruar në merkato, mungesën e të cilit e etiketoi si një faktor kyç për humbjen me bardheblutë, edhe pse vështirë që një humbje si ajo t’i faturohet një detaji të vetëm.

Me vetëm një fitore në 4 ndeshjet e fundit, verilindorët kanë humbur paksa nga shkëlqimi i javëve të mëparshme, pasi sulmi, reparti që kishte spikatur më shumë me golat e shënuar në këto 4 sfida ka shënuar dy gola, ndërsa faza mbrojtëse demonstron herë pas here brishtësi.

Të gjitha arsye për të dhuruar një performancë pozitive dhe mbi të gjitha për të marrë tre pikët përballë një Egnatie të etur për pikët e mbijetesës. Në takimin e fundit skuadra e Zekeria Ramadanit, mori një barazim morali me Dinamon, në një sfidë që e nisi me 10 lojtarë pasi humbi që në start Krasniqin dhe u gjend në disavantazh shumë shpejt.

Ishte barazimi i tretë radhazi 1-1 për  Egnatian që nuk fiton prej 4 takimesh. Interesant fakti se Kukësi i ka fituar të dyja sfidat e kampionatit këtë sezon përballë formacionit rrogozhinas, por nga ana tjetër Egnatia iu shkaktoi një eleminim të hidhur në Kupën e Shqipërisë, duke i nxjerrë verilindorët nga një prej objektivave sezonalë.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency