Egnatia godet sërish në merkato, firmos me titullarin e mbrojtjes së Laçit
Egnatia vijon të jetë mjaft aktive në merkato, teksa duket se drejtuesit e klubit rrogozhinas janë të vendosur të kompletojnë skuadrën për sezonin e ri sa më shpejt që të jetë e mundur.
Kështu gjatë ditës së sotme klubi rrogozhinas prezantoi afrimin e portierit shkodran Alen Sherri dhe mbrojtësit të majtë vlonjat, Emiliano Musta, dy emra të njohur të Abissnet Superiores, që pritet të shtojnë eksperiencën dhe cilësinë te Egnatia.
Ndërkohë SuperSport mëson se klubi rrogozhinas ka arritur marrëveshjen edhe me mbrojtësin lezhjan Renato Malota, i cili dy sezonet e fundit ka qenë pjesë e Laçit, megjithatë ka vendosur që t’i bashkohet Egnatias.
Mbrojtësi 32-vjeçar lezhjan ka firmosur me rrogozhinasit, megjithatë do t’u bashkohet atyre vetëm pasi të mbarojë aventurën europiane me Laçin, pasi do të veshë fanellën bardhezi për eliminatoret e Conference Leagues.
Malota bëhet përforcimi i katërt i Egnatias, pas sulmuesit Camaj, portierit Sherri dhe mbrojtësit Musta, teksa në ditët e ardhshme pritet që rrogozhinasit të firmosin me të tjerë futbollistë, pasi synimi i klubit është që të mos rrezikojnë më mbijetesën si në këtë sezon.
Ndërkohë sa u përket largimeve, sot është zyrtarizuar divorci me Ildian Shytin dhe Leo Dakën, teksa më herët janë larguar edhe sulmuesi Artur Magani, portieri Klevisi Hasanbelli dhe fantazisti Demir Imeri.



