Egnatia identifikon pasuesin e Maganit, në bisedime me ish-trajnerin e Flamurtarit
Skuadra e Egnatias është prej disa ditësh pa një trajner në krye, pasi klubi dhe Gugash Magani vendosën të mbyllnin bashkëpunimin. Teksa në ndeshjen e djeshme të kampionatit ndaj Tiranës ekipin e drejtoi Përparim Daiu, drejtuesit vazhdonin punën për të konkretizuar pasardhësin e Maganit.
Edhe pse në skenë kanë qarkulluar shumë emra, nga klubi rrogozhinas ka ardhur konfirmimi se aktualisht janë në bisedime vetëm me Zekirija Ramadanin. 43-vjeçari pjesën më të madhe të karrierës e ka të ndërtuar në Kosovë, aty ku madje ka fituar edhe titullin nën drejtimin e Trepçe ’89, Feronikelit dhe Prishtinës.
Megjithatë, nuk është se Ramadani nuk e njeh ambientin në Shqipëri pasi në vitin 2016 ka qenë në krye të Flamurtarit, teksa i ka drejtuar kuqezinjtë për 16 ndeshje, nga muaji janar deri në maj, duke koleksionuar 3 fitore, 6 barazime dhe 7 fitore.
Tashmë, mbetet për t’u parë nëse klubi i Egnatias dhe trajneri do të gjejnë gjuhën e përbashkët për të finalizuar bisedimet me një kontratë e cila do ta rikthente Ramadanin në Shqipëri.



