Egnatia sfidon Vllazninë në debutimin e Plorit, përballë dy skuadrat me më shumë barazime
Pas barazimit me Partizanin në javën e kaluar, Egnatia do të kërkojë sërish pikët e mbijetesës teksa pret në shtëpi Vllazninë. Shkodranët mbërrijnë në këtë takim me një tjetër “fytyrë” duke qenë se trajneri Thomas Brdaric nuk është më në krye të kuqebluve, teksa “timoni” ka kaluar në duart e Elvis Plorit.
Për t’u rikthyer te ndeshja, Vllaznia vuan në aspektin e dëmtimeve dhe në dyshim janë emra si Gurishta, Jonuzi, De Silva apo edhe Latifi. Sakaq, i sigurt se nuk mund të bëhet pjesë e këtij 90-minutëshi është Ante Aralica me sulmuesin që ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe nuk mund të aktivizohet.
Sa i takon statistikave, kuqeblutë nuk janë nga ato skuadra që kanë shkëlqyer në ndeshjet jashtë fushës duke qenë se kanë fituar vetëm dy të tilla dhe kanë barazuar në nëntë raste. Nga ana tjetër, Egnatia ka pasur një ecuri pozitive në pesë ndeshjet e fundit shtëpiake duke siguruar tetë pikë, falë dy fitoreve, dy barazimeve, ndërsa ndaj Teutës nuk mundi të siguronte pikë.
Vlen të theksohet se Egnatia dhe Vllaznia janë dy skuadrat që kanë regjistruar më së shumti barazime deri në këtë pikë të kampionatit, 12 për shkodranët dhe 9 për rrogozhinasit. Ndërkaq, dy përballjet e para të këtij sezoni janë mbyllur pa fitues dhe me të njëjtin rezultat 1-1, teksa mbetet për t’u parë nëse do të ndryshojë ky trend në sfidën e orës 13:45 e cila transmetohet në Supersport 4.



