Egnatia-Teuta, kampionët tani i frikësohen rënies nga kategoria
Java 24-t e Abissnet Superiores premton shumë dhe një nga sfidat më të rëndësishme të këtij raundi është Egnatia – Teuta. Një sfidë që vendos përballë dy skuadra të ndryshme, por me një mision: tri pikët dhe për t’u larguar nga zona e ftohtë. Një sezon i çuditshëm, pasi kampionët në fuqi tani rrezikojnë shumë dhe diferenca midis të dyja skuadrave është vetëm dy pikë. Një duel që i gjen skuadrat me formë të ndryshme, me Egnatian që në javët e fundit ka bërë më mirë se bregdetarët, duke koleksionuar 7 pikë në 3 ndeshje, me dy fitore përballë rivalëve për mbijetesën dhe pike me shumë vlera në Laç.
Në kampin e Teutës qetësia ka humbur prej javësh, pasi në 5 takimet e fundit skuadra e Arapit numëron vetëm 4 pikë, duke regjistruar edhe 3 humbje dhe nuk fiton prej 2 javësh.
Diferencat në ndeshjet e fundit nuk janë vetëm te pikët, pasi Teuta në 5 ndeshje ka pësuar plotë 11 gola, më shumë se çdo skuadër tjetër, ndërsa rrogozhinasit janë përmirësuar ndeshje pas ndeshjeje, me një mesatare pësimi 1 gol për ndeshje në 5 takimet e fundit. Sa i përket saktësisë përpara portës, skuadrat janë identike, me 4 gola të shënuar, por ekipit të Ramadanit këto katër gola i kanë sjellë plotë 7 pikë, të mjaftueshme për të lënë zonën e ftohtë për momentin.
Në Rrogozhinë, pritet të jetë një sfidë e luftuar, me skuadrat që do të tentojnë deri në fund maksimumin, pasi tani, në këtë pikë të sezonit, asnjëra nuk ka asgjë për të humbur, duke ditur se një hap fals krijon shumë dëme.
Pikërisht, këto pasoja do të kërkojë të evitojë skuadra e Teutës, që është pranë një fenomeni negativ, pasi tani, kampionët e Shqipërisë rrezikojnë seriozisht mbijetesën.
Në dy ndeshjet e fundit në shtëpi, Egnatia ka arritur të marrë maksimumin, ndërsa në total në këtë sezon ka grumbulluar 12 pikë. Në krahun tjetër, Teuta, në një edicion gjithmonë larg shtëpisë, transfertat ka ditur t’i përballojë, pasi numëron 4 fitore, 2 barazime dhe 5 humbje, duke koleksionuar 14 pikë.
Në këtë sezon, në dy takimet e para Teuta dhe Egnatia kanë ndarë pikët e plota. Teuta në vizitën e parë në “Arena Egnatia” u largua me tri pike, falë fitores 0-1, ndërsa rrogozhinasit morën maksimumin në “Elbasan Arena”, duke fituar 1-2 ndaj Teutës.



