Eintrachti dhe Augsburgu, fitore identike 4-1
Mbyllen me fitore të skuadrave vendëse, madje me të njëjtin rezultat 4-1 dy sfidat e fundit të javës së 6-të të Bundesligës. Eintrachti i Frankfurtit triumfoi përballë Hannoverit ndërsa Augsburgu ndaj Frieburgut.
Në përballjen e parë, të zhvilluar në “Commerzbank-Arena” Eintrachti dominoi që në pjesën e parë ndaj ish-ekipit të Altin Lalës, dukë shënuar dy herë me N’Dicka dhe Rebic. De Guzman i çoi shifrat në 3-0 në të 59-ën, ndërsa Muslija shkurtoi përkohësisht në 3-1, para se Jovic të realizonte golin e katërt për vendësit dhe të fundit të këtij takimi.
Edhe në ndeshjen mes Augsburgut dhe Frieburgut thuajse e njëjta histori. Pjesa e parë u mbyll me epërsinë e dyfishtë të vendësve, me gola të Caiuby dhe Finnbogasson. Autogoli i Schmid u duk sikur hapi ndeshjen në fillim të pjesës së dytë, por Finnbogasson realizoi edhe dy gola të tjerë, duke marrë topin në shtëpi.



