Ekskluzive/ Egnatia nuk ndalet, dy emra të spikatur të Superiores drejt firmës
Egnatia i është futur punës për të përforcuar skuadrën. Largimet kanë qenë të shumta deri më tani, i fundit Ildian Shyti, ndërkohë që i pari afrim i zyrtarizuar është sulmuesi Ilir Camaj.
Rrogozhinasit kanë “prenotuar” edhe dy lojtarë të tjerë. Supersport mëson se nesër pritet të firmosin portieri Alen Sherri dhe mbrojtësi i majtë, Emiljano Musta.
Të parit i ka përfunduar kontrata me Laçin, ku është aktivizuar dy sezonet e fundit. Portieri shkodran më parë ka qenë edhe pjesë e Vllazninë.
Me kurbinasit ishte titullar sezonin e shkuar, ndërsa këtë kampionat luajti vetëm tre ndeshje nga fillimi për t’i lënë vendin Dajsinanit.
Sa i takon Mustës, ai vjen pas një sezoni që e nisi me Partizanin dhe e mbylli me Kukësin. Në Abissnet Superiore ai ka luajtur edhe për Elbasanin, Shkumbinin, Teutën, Flamurtarin dhe Laçin.



