Kategoria Superiore

Emiljano dhe Lorenco Vila për SuperSport: Forca jonë është grupi, tani të fitojmë Superkupën

18 vite agjërim për të shkuar përtej në Europë, por kjo Teutë shkroi historinë e klubit duke u kualifikuar për herët të parë përtej raundit fillestar në Europa League apo ish kupa UEFA që quhej dikur.

Ky kualifikim është një ndjenjë e veçantë për dy prej protagonistëve kryesore Emiljano e Lorenco Vila, që në një intervistë për Supersport, shprehen ende entuziastë për atë kualifikim emocionues ndaj një kundërshtari më të kuotuar si Beitari i Jerusalemit.

Emiljano Vila: Kishim besim dhe e kishim vlerësuar maksimalisht ndeshjen. Jemi përgatitur mirë gjatë fazës përgatitore dhe sidomos në pjesën e dytë, e rritëm ndjeshëm nivelin, duke ia dalë të fitojmë e të kualifikohemi. Falënderoj të gjithë çunat, nga i pari te i fundit, për atë që dhanë në fushën e lojës dhe më vjen mirë që ashtu si ne, edhe skuadrat e tjera shqiptare ia dolën të kualifikohen

Lorenco Vila: Jemi shumë të lumtur që kemi arritur të kualifikohemi. E kishim përgatitur ndeshjen mjaft mirë dhe falënderoj gjithë çunat që dhanë shpirtin në fushë.

Individi që bën diferencën është i mirëpritur në çdo skuadër, por nëse nuk ka grup atëherë një ekip është i destinuar të vdesë. Forca e grupit është arma e “djemve të detit” dhe këtë fakt e rikonfirmojnë lojtari me më shumë përvojë i durrsakëve dhe talenti me më shumë të ardhme i kësaj skuadre

Emiljano Vila: Ne nuk kemi në përbërje ndonjë lojtar që ta marrë topin dhe ta nxjerrë vetë golin, por kemi grupin. Jemi një grup shumë i mirë, i ruajtur që nga sezoni i kaluar dhe kjo bën diferencën.

Lorenco Vila:Luajmë të gjithë për njëri-tjetrin, sakrifikojmë dhe ndihmojmë njëri-tjetrin. Japim shpirtin në fushë, ndaj ia dolëm të kualifikohemi.

Kalimi i raundit e ka bërë Teutën të ndjehet e qetë sepse objektivi i madh u realizua, por me pak ndihmë nga fati në short, skuadra durrsake shpreson ta vijojë më tej këtë ëndërr.

Emiljano Vila: Tani jemi të qetë dhe presim shortin, por shpresojmë që të ecim sa më shumë.

Lorenco Vila: Tani luhet me ndeshje teke dhe kemi shanse reale për të ecur, ndonëse do të ishim të lumtur të na binte ndonjë skuadër disi e lehtë në letër.

Superkupa ndaj Tiranës do të luhet të hënën, një trofe të cilin skuadra durrsake nuk e ka fituar asnjëherë në histori dhe ky është objektivi më i afërt për Emiljano e Lorenco Vilën.

Emiljano Vila: Edhe Superkupa ka specifikën e vet, ndaj do të tentojmë ta marrim dhe t’ia shtojmë një trofe të tillë Durrësit.

Lorenco Vila: Superkupa është një objektiv i yni dhe shpresojmë që ta fitojmë.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency