Enea Kolici mes Serisë C në Itali dhe Flamurtarit
Më 20 maj 2017 Kukësi shpallej për herë të parë kampion i Shqipërisë, një rezultat historik për klubin verilindor. Pero Pejic kish bërë si gjithnjë detyrën e tij, por njeriu që u ngjit në piedestal ishte pa diskutim Enea Kolici. Një sezon i mrekullueshëm në të gjitha aspektet, shumë pak gabime dhe vendimtar në rrugëtimin e bluve.
Duket sikur ka kaluar shumë kohë, por sot, vetëm 1 vit më vonë, “gardiani” ka firmosur letrat e divorcit me Kukësin. Edicioni i fundit nuk shkoi në mënyrën më të mirë dhe krisja nisi në çastin kur trajneri Pacult vendosi t’ia besonte çelësat e katërkëndorit Stivi Frashërit, teksa goditja përfundimtare erdhi kur tekniku e la jashtë listës për Championsin.
Ofertat në drejtim të 32-vjeçarit nuk mungojnë, dëshira e tij më e madhe është të vijojë karrierën jashtë Shqipërisë dhe aktualisht është në bisedime me një klub të Serisë C italiane. Kjo është alternativa numër 1 për Kolicin, nëse nuk realizohet atëherë nuk përjashtohet që sezonin tjetër portierin pogradecar ta shohim sërish në Superiore. Drejtuesit e Flamurtarit me bekimin e trajnerit Ilir Daja kanë nisur të kontaktojnë më “gardianin” dhe mund të gjendet gjuha e përbashkët, por, gjithsesi, dëshira e vetë Kolicit është pikërisht Seria C italiane.



