Eni Imami rikthehet si “ish”, ja sa tifozë priten në “Loro Boriçi”
Luhet Vllaznia-Dinamo, një përballje tradicionale, që i ka munguar prej vitesh futbollit shqiptar, megjithatë në “Loro Boriçi” numri i tifozëve duket se nuk do të jetë në nivelin e pritshmërive.
Gazetari i Supersport, Elvis Rexha zbulon se deri 60 minuta para ndeshjes, janë shitur rreth 2500 bileta, një numër që pritet të rritet deri në nisje të sfidës dhe të shkojë në rreth 4-5 mijë tifozë në shkallët e “Loro Boriçit”.
Ndërkohë mjaft e veçantë do të jetë kjo sfidë për mbrojtësin Eni Imami, i cili sezonin e kaluar ishte pjesë e Vllaznisë dhe fitoi Kupën e Shqipërisë me kuqeblutë, megjithatë sot vjen si kundërshtar në “Loro Boriçi”.
Mbrojtësi u pa të takohej me shumë përzemërsi me ish shokët e tij të skuadrës dhe para ndeshjes deklaroi se pret që të mirëpritet nga tifozët shkodranë, pavarësisht se do të jetë kundërshtar në fushë.




