Enis Bardhi rinovon kontratën me Levanten deri në vitin 2022
Para pak javësh, drejtori sportiv i Levantes, Vicente Blanco, deklaroi se për rinovimin e Enis Bardhit mungonte vetëm firma. Dhe tani ka ardhur zyrtarizimi. Mesfushori me origjinë shqiptare ka rinovuar me klubin spanjoll deri në vitin 2022, me klauzolën që kap shifrën e 50 milionë eurove.
Flitej se prej disa kohësh Levante dëshironte t’i zgjaste kontratën 23-vjeçarit, duke marrë parasysh se klauzola e mëparshme ishte vetëm 25 milionë euro. Negociatat midis palëve kanë qenë mjaft të avancuara prej kohësh, por tani Levante ka siguruar edhe për më vonë shërbimet e një prej futbollistëve kyç të skuadrës. Gjithashtu, klubi dhe lojtari kanë lënë të hapur mundësinë e një rinovimi ekstra edhe për dy vite të tjera.
Bardhi, i cili është mjaft i famshëm në Spanjë edhe për goditjet e dënimit, është shprehur mjaft i lumtur për rinovimin e kontratës, duke premtuar se do të japë më të mirën e tij për ekipin:
“Jam shumë i kënaqur, ndihem mirë këtu, sidomos në muajt e fundit kam qenë si në shtëpinë time. Do të qëndroj për shumë vite tek Levante. I jam shumë mirënjohës të gjithë klubit për mikpritjen dhe mënyrën se si më kanë trajtuar që kur kam ardhur”.
Me fanellën e Levantes Bardhi ka shënuar 10 gola në 38 ndeshje, madje në sezonin e kaluar ishte i dyti pas Lionel Messit për gola me anë të goditjeve të dënimit.



