Premier League

Eriksen rrëfen rikthimin: I thashë Sabrinës se do të tërhiqesha, por …

Christian Eriksen buzëqesh përsëri. Mesfushori danez ishte një nga protagonistët e merkatos së janarit, duke firmosur me Brendtfordin në Premier League, shtatë muaj pasi pësoi atak kardiak në Kampionatin Evropian.

Tani, ish-lojtari i Interit, i cili pas një jave do të mbushë 30 vjeç, ka dhënë një intervistë në faqen zyrtare të klubit të tij të ri, ku tregon se si ka ndryshuar jeta e tij që nga ai 12 qershor në Kopenhagë.

Duke kujtuar atë episod, që ndodhi në ndeshjen kundër Finlandës, Eriksen pyetet se kur mendoi se mund të luante sërish futboll pas arrestit kardiak.

“Dy ditë më vonë, e kam menduar. Po atë ditë isha tashmë në dijeni të asaj që më kishte ndodhur. Por kryeja të gjitha analizat mjekësore dhe pyesja veten nëse do të mundja të luaja sërish … dhe kështu pak nga pak nisa të besoja”.

Eriksen iu nënshtrua një operacioni më 18 qershor dhe në këtë ndërhyrje iu vendos ICD, një defibrilator që e lejoi atë të bënte një jetë normale dhe të kishte mundësinë të vazhdonte karrierën e tij si futbollist në disa vende.

“Mund të vraposh në maratonë, të notosh në thellësi,… kjo varet vetëm nga diagnoza. I thashë Sabrinës (bashkëshortes së tij) se do t’i varja këpucët në gozhdë, por nuk duhej të habitej nëse ndërroja mendje nëse gjithçka do të ishte mirë. Për fat të mirë, kështu ndodhi.”

Eriksen këmbëngul se kalimi në Brentfordi i jep atij mundësinë për t’iu rikthyer një stili normal jete. Danezi dëshiron të shihet sërish si futbollist, pa e lidhur me atë që ndodhi në muajin qershor 2021.

“Në fillim gjithçka ishte e vështirë. Tre muajt e parë nuk bëra asgjë, por muajt e fundit isha në programin e rehabilitimit. E kisha të vështirë të shikoja ndeshjet në fillim sepse gjithmonë mendoja se doja të isha atje, kështu që nuk i shikoja. Koka ime ishte e përqendruar te familja ime dhe të dashurit e mi”.

Eriksen vazhdoi të punonte deri në kthimin e tij, duke firmosur në Premier League.

“Të jem në gjendje të prek topin, të nuhas barin, të vesh këpucët… gjithçka fillon të kthehet brenda meje, emocioni i stadiumit, tifozët, shokët e skuadrës… Doja të kthehesha në normalitet, por e dija që normaliteti im duhej të ishte ndryshe dhe ja ku jemi”, – përfundon danezi.

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency