Erling Haaland ka një kusht për firmën e tij me Manchester City-n
Manchester City ka fituar përparësi në garën për të siguruar shërbimet e sulmuesit norvegjez të Borussias së Dortmundit, Erling Haaland. Ditët e fundit mediet, kryesisht angleze, kanë raportuar se është arritur marrëveshja në parim me lojtarin, sa u përket shifrave, falë edhe ndikimit të babait të tij.
Në fakt, Borussia e Dortmundit po ngulmon që ta mbajë të paktën edhe një vit norvegjezin, sigurisht duke i përmirësuar ndjeshëm pagën. Mirëpo vetë Haaland është i vendosur për të shfrytëzuar klauzolën e largimit, që Mino Raiola, përfaqësuesi i tij ligjor, ra dakord për këtë verë. Fillimisht u tha se destinacioni i tij do të ishte Madridi, por duket se ka ndryshuar drejtim rrugës dhe do të përfundojë në “Etihad”.
“The Sun” shkruan se norvegjezi synon të ketë çelësin e së ardhmes së tij në dorë: të përfshijë një klauzolë lirimi në kontratë, diçka e pazakontë në Premier League, dhe të mos varet nga ajo që do të ofrojnë ekipet e tjera për kartonin e tij nëse vendos të mos e vazhdojë karrierën në “Etihad”. Ajo që duket qartë është se për sulmuesin norvegjez ka nisur numërimi mbrapsht, me një afat deri më 30 prill.



