Espanyol mposht bindshëm Atleticon e Madridit dhe rrit shanset për Europa Leaguen
Espanyol mori një fitore shumë të rëndësishme përballë Atelticos së Madridit, në shifrat 3-0, një sukses që mban gjallë shpresat e kësaj skuadre për të arritur një biletë në Europa League.
Sfida nisi me vendasit kërkues, teksa reagim pati edhe nga ana e Atleticos, por pa patur saktësinë e duhur. Gjithsesi kur dukej se pjesa e parë do të përfundonte me rrjeta të paprekura, Pedrosa bëri një sprint prej 87 metrash dhe ktheu topin në zonë, ku Diego Godin e devijoi në mënyrë të pafat në portën e tij.
Në pjesën e dytë pritej një reagim i Atleticos, por në fakt nuk ndodhi kështu, pasi sërish Espanyol u shfaq më kërkues në fushën e blertë. Në minutën e 52-të, asisti i Melando shfrytëzohet në maksimum nga sulmuesi Iglesias, i cili dyfishoi shifrat.
Atletico përpiqet të rihapë takimin, por kundërshtari mbrohet mirë. Në fundin e ndeshjes Juanfran shkakton një faull krejtësisht të panevojshëm në brendësi të zonës, gjyqtari akordon 11-metërsh për Espanyol, dhe nga pika e bardhë e penalltisë, Iglesias tregohet i saktë duke shënuar të tretin gol për të tijtë dhe të dytin personal. Ekipi i Rubit gjen fitoren pas 3 barazimeve, ndërsa për Atelticon kjo ishte disfata e parë pas 4 fitoreve radhazi.



