Futboll

Euro U21/ Spanja “dërrmon” Poloninë, Italia mban gjallë shpresat për kualifikim

Pasi e nisi Europianin e U21-shit me një humbje përballë Italisë, Spanja arriti të renditet në vendin e parë në grup, sepse pas fitores ndaj Belgjikës 3 ditë më parë, sonte mposhti me rezultatin e thellë 5-0 Poloninë.

“Furia Roja” e nisi vrullshëm takimin dhe e zhbllokoi rezultatin me Fornals në minutën e 17’, ndërsa në pjesën e parë shënoi edhe dy herë të tjera, me autorë Oyarzabal dhe Ruiz. Në pjesën e dytë spanjollët shënuan edhe dy herë të tjera me anë të Ceballos dhe Mayoral, duke fiksuar shifrat 5-0 dhe duke u renditur në krye të grupit, me 6 pikë.

Po me 6 pikë, por në vendin e dytë, e mbylli fazën në grupe edhe Italia, që fitoi me rezultatin 3-1 ndaj Belgjikës mbrëmjen e sotme. Në “Mapei Stadium” të Reggio Emilias, italianët zhbllokuan sfidën me Barrela në pjesën e parë, ndërsa në 45-minutëshin e dytë shënuan edhe dy herë të tjera, me Cutronen e Chiesan, ndërsa belgët ngushtuan rezultatin me anë të Verschaeren.

Megjithatë vlen të theksohet se Italia nuk mund të festojë ende, pasi në gjysmëfinale kalojnë vetëm 3 kryesueset e grupit dhe vendi i dytë më i mirë, që mund të jetë edhe e “të kaltërve”, por duhet të mbyllen edhe takimet në grupet e tjera.

Fatkeq ky Europian për Poloninë, që pasi mposhti Belgjikën dhe Italinë, humbi thellë mbrëmjen e sotme dhe mbeti në vendin e tretë, me të njëjtën sasi pikësh sa vendi i parë dhe i dytë, por me një golaverazh negativ.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency