Euroleague, Real triumfon me Fenerbahcen në Stamboll, feston edhe Unicaja
Reali i Madridit mori një fitore të madhe 77 – 79 ndaj kampionëve në fuqi të Fenerbahces në raundin e 15-të të ndeshjeve të sezonit të rregullt në Euroligën e basketbollit. Talenti slloven Luka Doncic, me 20 pikë, 10 asist dhe 8 topa të kontrolluar poshtë koshit ishte inspiruesi i madrileneve në “Ülker Sports Arena” të Stambollit, duke e bërë të pavlefshme paraqitjet e Wanamaker të Fenerbahces, që gjithashtu e mbylli ndeshjen me 20 pikë të shënuara. Për Realin kjo ishte fitorja e katërt radhazi.
Skuadra e Olympiakosit, ndër më të mirat në këtë sezon të Euroligës, zhvilloi një takim të dobët në parketin e Zalgiris Kaunas, me vendasit që triumfuan 74 – 68. Milaknis dhe Pangos realizuan nga 14 pikë për lituanezët, ndërsa për grekët pikëshënuesi më i mirë rezultoi Papapetrou me 13 pikë.
Unicaja Malaga u shfaq me prepotencë në përballjen në transfertë me Maccabin e Tel Avivit, të cilin e mposhti 78 – 89. Izraelitet shkuan deri +14 pikë në mesin e periodës së dytë, por spanjollët arritën të përmbysnin gjithçka, duke shtuar ritmin në periodën e fundit për të fituar me 11 pikë diferencë. Për Unicajan ky ishte suksesi i katërt radhazi.



