Europiani U-19 për femra, Kalaja-Hyska plot ambicie: Duam vendin e parë
Kombëtarja shqiptare U-19 për femra, është grumbulluar prej një jave duke u përgatitur për ndeshjet e raundit të dytë të Kampionatit Europian 2022 që do të zhvillohen në Turqi, në datat 5-11 prill. Skuadra e drejtuar nga trajneri Kreshnik Krepi, është shortuar në të njëjtin grup me pritëset e turneut, Izraelin dhe Qipron.
Stafi teknik për këto tre sfida ka grumbulluar 19 futbolliste, ku pjesa më e madhe aktivizohen në kampionatin shqiptar. Dy prej tyre, sulmuesja Mery Kalaja dhe portierja Antigoni Hyska janë prononcuar për Fshf.org, ku kanë folur për grumbullimin dhe si po shkojnë përgatitjet në kuadër të turneut zyrtar.
Sulmuesja e Bolonjës është e lumtur që ka marrë ftesën nga Kombëtarja U-19 e femrave dhe thekson se atmosfera është shumë pozitive. Gjithashtu, 18-vjeçarja shton se skuadra do të japë maksimumin ndonëse përballë do të ketë tre rivalë të fortë.
KALAJA – “Jam shumë e lumtur që më erdhi ftesa për të luajtur me Kombëtaren shqiptare. Gjithashtu jam shumë e lumtur që do të përfaqësoj ngjyrat kuqezi. Atmosfera në skuadër dhe me vajzat është shumë e mirë. Unë ndihem shumë mirë në këtë grup, disa prej vajzave i njoh.
Personalisht jam duke punuar shumë fort ditë pas dite, ashtu si edhe skuadra, për të marrë rezultate sa më të mira në Turqi ku do luajmë ndeshjet tona. Përballë do të kemi tre skuadra shumë të forta dhe jemi këtu për të fituar dhe dhënë maksimumin, që do të na siguronte vendin e parë.
Ëndrra futbollistike? Kam një ëndërr që kur isha e vogël, për të qenë një lojtare shumë e mirë dhe për të arritur në nivele të larta, për të veshur fanellën e Juventusit ose Milanit në Itali”.
Ndërkohë, portierja Antigoni Hyska është optimiste për rezultatet që mund të arrijë kjo skuadër, teksa vlerëson edhe prurjet e reja në Kombëtaren U-19. Sa i përket synimeve personale, ajo shpreson që një ditë të arrijë të luajë në një kampionat të huaj me një skuadër të rëndësishme.
HYSKA – “Jam shumë e lumtur që marr përsëri ftesë nga Kombëtarja duke parë që kemi bërë një punë shumë të madhe edhe në skuadrat tona. Ndjej kënaqësi që do të përfaqësoj përsëri Shqipërinë. Gjendja e skuadrës është shumë e mirë duke parë që jemi stërvitur shumë mirë këto ditë. Jemi optimist që këto eliminatore do të na shkojnë ashtu siç ne dëshirojmë.
Gjithashtu, prurjet e reja në skuadër janë shumë të mira sepse na ndihmojnë si skuadër. Në këto ndeshje që kemi përpara kemi si objektiv të fitojmë të treja ndeshjet dhe besoj se me këtë grup që kemi, me lojtare me aftësi shumë të mira, do të arrijmë t’i ftojmë të treja ndeshjet, duke u kthyer fitimtare në Shqipëri.
Objektivat personale? Ëndrra ime që të luajë jashtë në një skuadër të rëndësishme europiane për të arritur sa më larg, duke parë që po stërvitem mirë në skuadrën time, por edhe të jem në skuadrën e parë duke përfaqësuar Shqipërinë”.
Ekipi është grumbulluar prej disa ditësh në Durrës, ndërsa sot do të niset drejt Turqisë, për të zhvilluar ndeshjet e këtij kompeticioni për grup-moshën U-19. Raundi i dytë nis më 5 prill me ndeshjen e parë ndaj Izraelit ndërsa sfida e dytë do të jetë ndaj Qipros më 8 prill.
Ndeshja e tretë dhe e fundit do të jetë ndaj Turqisë më 11 prill. Shqipëria është pjesë e Ligës B dhe do të tentojë ngjitjen në Ligën A, për të garuar në kualifikueset e radhës të Europianit të ardhshëm. Në raundin e parë, Kombëtarja U-19 bëri një paraqitje mjaft të mirë duke u renditur në vendin e dytë në grupin e saj.



