Evitohet më e keqja, por Shkurtaj do mungojë disa javë, Shehi me dhimbje koke!
Hallet për Orges Shehin sapo kanë nisur. Pas barazimit me Vllazninë në debutim që e çoi në plot 6 pikë diferencën me Tiranën kryesuese, në atë sfidë Kukësi humbi edhe shërbimet e sulmuesit kryesor dhe golashënuesit më të mirë të skuadrës Vasil Shkurtaj. Autori i 16 golave në këtë sezon, mori shumë goditje në sfidën ndaj Vllaznisë te pjesa e gjurit dhe rezistoi deri në minutën e 74-të, teksa u largua duke çaluar. Fillimisht u mendua për një dëmtim të rëndë për Shkurtajn që mund ta mbante jashtë fushave të futbollit deri në verë duke humbur edhe sfidat e tureve të para të Kupave të Europës. Shkurtaj nuk ka pësuar një këputje të ligamentit të brendshëm dhe gjasat janë që të rikuperohet në harkun e 3 javëve, megjithatë e sigurt është që Orges Shehi nuk do ta ketë në dispozicion sulmuesin për disa ndeshje shumë të rëndësishme të sezonit të verilindorëve.



