Familja Al Thani gati të investojë në Itali, premtohen dy blerje të bujshme për klubin e njohur
Familja katariote Al Thani, që ka pronësinë e Paris Saint Germain, është gati të zbarkojë edhe në Serinë A. Sipas mediave italiane, familja Al Thani po mbështet sipërmarrësin në fushën e kinematografisë, Franco Di Silvio, për blerjen e klubit të Sampdorias.
Biznesmeni nga Bari ka treguar gatishmërinë për të paguar 40 milionë euro për aksionet e klubit gjenovez, teksa ka premtuar edhe afrimin në shoqëri të Gianluca Viallt dhe dy afrime mjaft të bujshme.
Një prej tyre është rikthimi i Mauro Icardit në huazim, duke qenë se sulmuesi argjentinas ka debutuar në Serinë A pikërisht me fanellën e dorianëve para se të transferohej te Interi.
Tjetra është firma me mesfushorin argjentinas Leandro Paredes, që kërkohet edhe nga Juventus, por që Di Silvio ka premtuar se ka mbështetjen e familjes Al Thani, që do të favorizojë pikërisht Sampdorian në këto negociata.
Megjithatë më parë duhet të realizohet shitja e aksioneve, pasi palët janë ende në negociata. Kujtojmë që Di Silvio ka provuar të hyjë në futboll edhe dy herë të tjera, me Salernitanën dhe Foggian, por ka dështuar.



