Felix e Suarez nga dy gola, Atletico merr fitoren e gjashtë radhazi në La Liga
Atletico e Madridit ngjitet në vendin e tretë në La Liga me dyshen Joao Felix – Luiz Suarez. Talenti portugez dhe veterani uruguaian shënuan nga dy gola në fitoren e thellë 4-1 ndaj Alaves në “Wanda Metropolitano”, ku “Los Colchoneros” festuan fitoren e gjashtë radhazi në kampionat, një seri që konfirmon rikthimin e kësaj skuadre në formën më të mirë.
Vendësit shënuan që në minutën e 11-të me Joao Felix, që shfrytëzoi më së miri pasimin e Vrsaljkos. Në pjesën e dytë, Alaves barazoi me Escalanten në të 63-tën, por Luiz Suarez ktheu epërsinë e vendësve me penallti në të 75-tën. Në minutat e mbetura kishte kohë edhe për dy gola të tjerë, por me autorë të njëjtë, Joao Felix dhe Suarez, që vulosën rezultati përfundimtar 4-1.



