Fellaini nderon Mourinhon, Man.United mposht të “rinjtë” e Arsenalit
Fitore minimale e Manchester United, falë një goli në fund të mesfushorit belg Fellaini ndaj Arsenalit. Përfundoi me suksesin 2-1 të Mourinhos përballja e fundit direkte mes Special One dhe Arsene Wenger, por duhet theksuar se Arsenali zbriti në fushë me mendjen te gjysmëfinalja e kthimit ndaj Atletico Madrid në Europa League, me trajnerin francez që kishte aktivizuar shumë lojtarë nga skuadra e të rinjëve në 11-shen titullare me përjashtim të Ospinës, Chambers, Bellerin, Kolasinac, Xhakës, Mkhitaryan dhe Aubameyang. Pogba kaloi United në avantazh pas diçka më shumë se çerek ore lojë, por në fillimin e pjesës së dytë Arsenali barazoi shifrat me golin e ishit Henrik Mkhitaryan i cili nuk festoi. Megjithatë në minutën e parë shtesë Fellaini devijoi saktë me kokë krosimin e Young duke i dhënë tre pikët Djajëve të Kuq të cilët me këtë sukses blinduan vendin e dytë në Premier League.



