Femra/Mitrovica si Vllaznia, e mbyll grupin e para
Vllaznia e Shkodrës nuk është ekipi i vetëm shqiptare i futbollit të femrave që kalon në raundit tjetër të Championsit. Skuadra kampione e Kosovës, Mitrovica, ka shkruar një faqe të re në historinë e futbollit të femrave. Vajzat e Mitrovicës janë renditur në pozitën e parë në Grupin 2, duke marrë tri fitore në po kaq ndeshje të zhvilluara.
Në ndeshjen e fundit dhe përcaktuese për pozitën e parë, mitrovicaset kanë shënuar fitore në duelin me kampionet e Malit të Zi, Breznica Pljevlje, me rezultat 1-0. Ndonëse për kampionet e Kosovës në këtë ndeshje mjaftonte edhe barazimi, ato arritën që t’i gëzohen fitores me golin e shënuar nga Kaltrina Biqkaj në minutën e 90-të me 11-metërsh.
Paraprakisht, Mitrovica kishte mposhtur edhe Olimpia Cluj dhe NSA Sofia. Shorti për rrethin e dytë do të tërhiqet më 16 gusht, në Nion, derisa ndeshjet e këtij rrethi do të zhvillohen me sistem eliminimi më 11 ose 12 shtator dhe më 25 ose 26 shtator.



