Feronikeli luan sot për historinë, Santa Coloma rival i kalueshëm
Feronikeli luan sot për historinë. Në mbrëmje në orën 20:45 skuadra nga Drenasi do të sfidojë në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, ekipin nga Andorra Santa Coloma në finalen e turit paraeliminator të Champions League. Bardhëjeshilët e Zekirija Ramadanit do të kërkojë të përsëritin atë që bëri Drita e Gjilanit një vit më parë dhe për të realizuar me sukses një mision të tillë do të kenë edhe mbështetjen e publikut të zjarrtë kosovar. Pas suksesit minimal ndaj skuadrës nga Gjibraltari Lincoln Red Imps, Feronikeli do të përballet me kampionen e Andorrës që nga ana e saj eliminoi në gjysmëfinale skuadrën nga San Marino Tre Penne. Në rast triumfi kampionët e IPKO Superligës së Kosovës do të kualifikohen për në turin e parë të Championsit aty ku i pret kampionia e Uellsit The New Saints. Feronikeli është favorit i madh për të kaluar më tej, madje nëse e bën diçka të tillë edhe ndaj The New Saints mund të luajë si i barabartë. E gjithë Kosova sot është me Feronikelin që synon të shkojë sa më larg në këtë edicion të Kupave të Europës.



