Feronikeli shkëputet sërish në +5, Prishtina rikthehet te suksesi!
Feronikeli dhe Prishtina bëjnë detyrën në javën e 22-të të Ipko Superligës së Kosovës e fundit për fazën e dytë. Kryesuesit e kampionatit triumfuan lehtësisht me rezultatin 3-0 ndaj Gjilanit në Drenas duke e thelluar sërish në +5 pikë avantazhin ndaj ndjekësve më të afërt Llapit dhe Prishtinës. Kastriot Rexha ishte heroi i skuadrës së Zekerija Ramadanit teksa realizoi dy herë që në pjesën e parë ndërkohë që suksesin e Feronikelit e vulosi Zeka me golin e tretë, 5 minuta para fundit të kohës së rregullt. Prishtina u rikthye gjithashtu te fitorja në transfertën ndaj KEK-ut të vendit të fundit, sfidë të cilën kryqytetasit e fituan me shifrat 1-2. Miftaraj dhe Dallku ishin autorët e golave për Prishtinën, finalizime që erdhën në pjesën e parë, ndërkohë që Qerimaj ngushtoi përkohësisht shifrat në fillimin e pjesës së dytë, por vetëm kaq sepse KEK-u e kishte të pamundur të merrte diçka përballë Pristinës. Përfundoi në barazim 1-1 ndërkohë dueli i drejtpërdrejtë për mbijetesë mes Lirisë dhe Drenicës.



