Feyenoord mposhtet nga Alkmaar, Ajaxi ruan kreun!
AZ Alkmaar surprizoi Feyenoord-in duke e mposhtur brenda në De Kuip të Rotterdamit, rezultat që e largoi gjithnjë e më shumë me kreun e renditjes skuadrën e Dick Advoacaat. Një sukses 2-3 në një sfidë ku në fund Azeta humbi edhe një 11-metërsh. Suedezi Karlsson kaloi miqtë në epërsi pas vetëm 11 minutash lojë. Megjithatë Feyenoord u rikthye në ndeshje me Nicolai Jorgensen i cili barazoi rezultatin në minutën e 32-të. Ashtu si në fraksionin e parë edhe fillimi i së dytës ishte më i mirë për Alkmaar që mori sërish avantazhin me qëndërsulmuesin e talentuar Boadu në minutën e 47-të. Feyenoord gjeti forcën gjithsesi për të reaguar dhe barazoi shifrat me Diemers në minutën e 58-të.
Golin e fitores për Alkmaarin e realizoi sërish Boadu në minutën e 70-të, ndërkohë që miqtë humbën edhe një 11-metërsh në minutën e 96-të. Me këtë humbje, që ishte e dyta radhazi, Feyenoord zbriti në vendin e 5-të me 35 pikë, ndërkohë që Alkmaar e parakaloi duke u ngjitur në vendin e 4-t me 37 pikë. Kampionati holandez vazhdon të kryesohet nga Ajaxi që triumfoi edhe këtë fundjavë me rezultatin minimal 1-2 në transfertën ndaj Fortuna Sittard. Harkëtarët tashmë në kuotën e 44 pikëve, ruajtën epërsinë prej 3 pikësh ndaj Vitesses së vendit të dytë falë autogolit të Polter dhe finalizimit të Haller.



