Feyenoord-Roma / Jo vetëm “luftë” në finale, por edhe në merkato
Feyenoord dhe Roma janë në “ethet” e finales së UEFA Conference League, që do të luhet në “Air Albania”, në Tiranë më 25 maj.
Gjithsesi, për ta ndezur akoma dhe me shumë këtë përballje ka menduar Zeljko Petrovic, ish-asistenti i trajnerit të Feyenoord, Dick Advocaat. 56-vjeçari deklaroi në media se, talenti i holandezëve, Orkun Kokcu do të luajë sezonin e ardhshëm në Serie A dhe me shumë mundësi te Roma.
“Ai ka një marrëveshje konkrete me një klub italian për një transferim në fund të këtij sezoni dhe Kokcu do të luajë në Serie A”,-deklaroi Petrovic.
Një deklaratë e cila ka ngjallur shumë interes, por edhe reagime sepse në Holandë dhe në “shtepinë” e Feyenoord erdhi krejt e papritur.
Orkun Kokcu ka zhvilluar një sezon fantastik në aspektin personal, me 9 gola dhe 9 asist në 49 ndeshje, duke rritur ndjeshëm “kreditet”. Turku konsiderohet si një nga pikat më të forta të ekipit nga Roterdami, me këta të fundit që përshpejtuan korrikun e vitit 2020 duke i rinovuar kontratën deri në qershorin e vitit 2025, ndërsa vlera e tij në treg llogaritet rreth 20 milionë euro.
Ky është sezoni i tij më i mirë në karrierë, por tani mbetet për t’u parë nëse Kocku do t’i bashkohet Romës sezonin e ardhshëm dhe pse më parë, 21-vjeçari do të bëjë të pamundurën për të mundur në finalen e 25 majit skuadrën e Jose Murinhos.
Gjithsesi duke parë cilësitë, moshën, karakteristikat dhe sezonin, blerja e kartonit të mesfushorit do të ishte një dhuratë ideale për teknikun portugez që do të përforconte repartin me një lojtar shumë premtues.



