FFK, përkrah Prishtinës: UEFA të jetë e arsyeshme, të mos na dëmtojë
Reagon Federata e Futbollit të Kosovës për vendimin e UEFA-s për të mos lejuar zhvillimin e ndeshje se Prishtinës ndal Lincoln të Gjibraltarit, pasi 8 futbollistë të skuadrës bardhekaltër rezultuan bartës të Koronavirusit. FFK shpjegon në këtë qëndrim se institucioni më i lartë i futbollit në Europë duhet të marrë parasysh rrethanat, kur të marrë një vendim mbi fatin e këtij takimi.
“Ndeshja ndërmjet Lincoln Red Imps dhe Prishtinës, e paraparë të zhvillohej sot, në orën 18:00, është anuluar pak kohë para fillimit të saj. Një gjë e tillë ndodhi pasi 8 futbollistë të Prishtinës dolën pozitivë në COVID-19, në rezultatet e paraqitura nga laboratori i licencuar nga UEFA në Spanjë.
Përkundër këtij fakti dhe mungesës së disa prej futbollistëve titullarë që rezultuan pozitivë, Prishtina ishte e gatshme për ta zhvilluar ndeshjen me lojtarët që kishte në dispozicion, gjë e cila rekomandohet edhe me rregulloren e re të UEFA-s për ndeshjet gjatë pandemisë.
Megjithatë, ishin autoritetet e Gjibraltarit që e pamundësuan zhvillimin e ndeshjes dhe kësisoj ndeshja u pezullua. FFK konsideron që kjo ndeshje është dashur të luhet dhe do t’i qëndrojë përkrah klubit të Prishtinës që vendimi i UEFA-s të jetë i drejtë dhe i arsyeshëm dhe të mos jetë në dëm të klubit tonë.
Ne, si federatë, dhe klubet tona jemi në situatë të palakmueshme, duke pasur parasysh faktin se UEFA nuk e ka licencuar asnjë laborator për kryerjen e testeve për COVID-19 në Kosovë, teksa në vendet fqinje ku janë të licencuar laboratorët e tillë nuk është e mundshme lëvizja për shkak të mbylljes së kufijve.
Po ashtu, është e çuditshme se si rezultuan 8 futbollistë pozitivë, kur para nisjes për në Gjibraltar në testet e kryera nga IKSHPK të gjithë futbollistët kanë rezultuar negativë. FFK shpreson që kësaj radhe organet e UEFA-s do të jenë më vigjilente dhe do ta kenë parasysh situatën në të cilën ndodhemi në pandemi dhe në fund do të marrin vendim të merituar, duke pasur parasysh se Prishtina ishte pro zhvillimit të ndeshjes dhe kishte numër të mjaftueshëm të futbollistëve të gatshëm për lojë.”



