Kategoria Superiore

Fillimi i mirë, gjysma e punës, Duro i ka ndryshuar fytyrën Kamzës!

Dy fitore në dy ndeshje, natyrisht më ndryshe ajo në debutimin në Kupë përballë Besës, shumë më e rëndësishme e para e kampionatit përballë Kastriotit. Klodian Duro shijon rikthimin e duhur në stol, natyrisht që kur bëhet fjalë për një ndryshim trajneri efekti i parë pozitiv është ai në aspektin e motivimit, një trajner sado i zoti qoftë nuk mund të ndryshojë gjithçka me shkopin magjik brenda pak ditësh, por dora e Duros  mund të thuhet se u ndie edhe taktikisht në ndeshjen me Kastriotin.  Nëse Devolli preferonte një skuadër të rreshtuar me modulin 4-4-1-1 me Plakun në majë të sulmit të spostuar pak majtas, Duro zgjodhi një formacion me dy sulmues të deklaruar, Martinena dhe Rolovic, një lloj 4-3-1-2 me Plakun pas dy sulmuesve në rolin e fantazistit, kryeqytetasi u shfaq mjaft komod me më tepër hapësira duke qenë i rrezikshëm me goditjet e befasishme të portës dhe duke dhënë dhe asistin e golit të Masato Fukuit.

Ndryshim për një ndeshje në varësi të karakteristikave të kundërshtarit, apo ideja e Duros se si mund të funksionojë më mirë në vazhdimësi Kamza e tij, kjo mbetet për tu parë. Të tërheqësh Plakun, golashënuesin kryesor të skuadrës pa diskutim që duhet guxim, diçka që Duros nuk  i mungon edhe në kostumin e trajnerit, ashtu si kur dikur kur luante në fushë. Një tjetër detaj në lidhje me fjalët e trajnerit të ri, vjen nga fjalët e Rolovic, me sulmuesin që rrëfen se çdo ndryshim i aplikuar në këtë ndeshje kishte lindur nga bisedimi me lojtarët.

Më tepër komunikim me lojtarët për të kuptuar opinionin e gjithsejcilit, ndryshime në modul dhe çka është më e rëndësishmja, fitorja, Duro e ka nisur me këmbën e mbarë, në sfidën e radhës do të përballet me Kukësin, skuadrën ku nisi karrierën si trajner duke fituar Kupën e Shqipërisë, një tjetër provë e rëndësishme për timonierin e ri të Kamzës.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency