Fiorentina acarohet me Milanin për tifozët, e denoncon në Ligë e Federatë
Milani do të presë Fiorentinën në fundjavë, në një ndeshje mjaft të rëndësishme për titullin kampion, por deri atëherë do të ketë edhe një betejë në nivel zyrtar mes dy klubeve.
Shkak është bërë një pakujdesi ë drejtuesve të Milanit, që nuk kanë vënë në dispozicion biletat për tifozërinë mike, por kanë hapur shitjen lirë dhe vetëm 50-60 fansa të Fiorentinës kanë arritur të sigurojnë një biletë.
Rregullorja është e qartë dhe parashikon 5% të biletave për tifozërinë mike, por te Milani nuk e kanë respektuar, duke ua shitur të gjitha fansave kuqezi.
I menjëhershëm reagimi i Fiorentinës, që ka bërë denoncim te Liga e Serisë A dhe Prokuroria Federale, teksa drejtori sportiv Barone ka pasur edhe një telefonatë me drejtuesit kuqezi, ku ka shprehur zhgënjimin për situatën.
“Kam folur me Scaronin dhe i kam shprehur qartë qëndrimin tonë. Jemi të zhgënjyer që ndodh kjo situatë, pasi tifozët tanë kanë të drejtë të ndjekin ekipin. Shpresoj ende në një zgjidhje”, tha Barone.
Rasti është i paprecedentë dhe pritet me interes të shihen masat që do të merren ndaj Milanit, pasi nëse kuqezinjtë ia hedhin lehtë, atëherë mund të ketë përsëritje të situatës edhe në ndeshje të tjera në të ardhmen.



