Fisnik Zuka afrimi i fundit i Flamurtarit
Nuk ndalet Flamurtari, që pa shumë bujë po plotëson një skuadër që u shfaq solide dhe e fortë në 16 javët e para. Afrimi i fundit që mund të rezultojë i tillë edhe në merkato është Fisnik Zuka, që vjen nga skuadra e Shkupit. 22-vjeçari është një titullar fiks tek skuadra e Superligës maqedonase prej 3 sezonesh, dhe një njohje për trajnerin Shpëtim Duro që ka vendosur veton për afrimin e tij. Zuka luan në krahun e majtë të mbrojtjes por edhe në mesfushë, duke qënë një alternativë e çmuar jo vetëm për sezonin aktual por edhe një investim për të ardhmen tek vlonjatët. Në këtë mënyrë Zuka bëhet afrimi i katërt tek vlonjatët në këtë periudhë merkatoje, pasi më parë janë konfirmuar Igor Nedeljkovic, Muarem Muarem dhe Argjent Gafurri. Ajo që bie në sy tek merkato e dimrit e bërë nga kuqezinjtë është se tashmë çdo repart është i kompletuar, duke shtuar mbi të gjitha konkurencën, pasi parashikohet dublim pozicionesh. Madje edhe në mbrojtje që ka qënë reparti më i mirë i Flamurtarit por edhe i kampionatit do të ketë ndërhyrje, pasi parashikohet që me grupin të bashkohet ish kapiteni Franc Veliu. Kuqezinjtë kanë pësuar 10 gola këtë edicion, 4 prej të cilëve me penallti duke konfirmuar repartin e prapavijës si pikën më të fortë. Ndërkohë që me afrimet e bëra kërkohet të përmirësohet ndjeshëm cilësia edhe në sulm, aty ku në ndeshjet e fundit është ndjerë mungesa e kapitenit Tomislav Busic.



