Fitojnë Italia dhe Gjermania, Shaqiri nderon Zvicrën, Leva shënon 2 herë në suksesin e Polonisë!
Italia e Roberto Mancinit vazhdon serinë e rezultateve pozitive dhe është në rrugën e duhur për të siguruar kualifikimin në Katar 2022. Të kaltrit triumfuan 0-2 në Sofie përballë Bullgarisë duke marrë suksesin e dytë në grupin C kualifikues për Kupën e Botës. Golat për Italinë u realizuan nga një për çdo pjesë. Në fraksionin e parë realizoi Belotti me 11-metërsh ndërkohë që në pjesën e dytë Locatelli i ardhur në fushë nga stoli shënoi një gol të bukur duke vulosur fitoren e Italisë. Me pikë të plota në këtë grup është edhe Zvicra që mposhti minimalisht 1-0 Lituaninë me një gol të shpejtë të Xherdan Shaqirit dhe ndan kryesimin sëbashku me Italinë.
Mori fitoren e dytë në eliminatore edhe Gjermania që në grupin J u mjaftua me një gol të Serge Gnabry-t për të mposhtur Rumaninë në Bukuresht. Gjermania krijoi shumë në këtë sfidë por në fund u mjaftua me vetëm një gol për të marrë tre pikët e radhës. Po në këtë grup një sukses të thellë regjistroi Maqedonia e Veriut që mposhti 5-0 Lihtenshtejnin. Enis Bardhi hapi serinë e golave në pjesën e parë për Maqedoninë e Veriut ndërkohë që për t’i dhënë fitoren e parë në grup skuadrës së trajnerit Angelovski realizuan Trajkovski dy herë por edhe Elmas e Nestorovski me penallti.
Në grupin I ku bën pjesë edhe Shqipëria morën fitore të lehta, Polonia dhe Hungaria që kaluan respektivisht 3-0 dhe 0-3 Andorran dhe San Marinon. Dy gola realizoi Lewandowski për polakët ndërkohë që te hungarezët shënuan tre sulmues Szalai, Sallai dhe Nikolics. Barazim 1-1 mes Ukrainës dhe Finlandës me Pukkin që iu përgjigj në fund golit të Junior Moraes. Me të njëjtat shifra u mbyll edhe sfida mes Izraelit dhe Skocisë në grupin F, aty ku Austria mposhti 3-1 me përmbysje Ishujt Faroe me golat e Dragovic, Baumgartner dhe Kalajdzic.



