Fitore me kosto ndaj Barcelonës, Interit i dëmtohet edhe një sulmues
Fitorja ndaj Barcelonës solli “oksigjen” në kampin e Interit, megjithatë telashet për Inzaghin duket se do të vijojnë. Kjo pasi ndaj katalanëve u dëmtua sulmuesi argjentinas Joaquin Correa, i cili luajti titullar dhe qëndroi në fushë rreth 60 minuta.
Sulmuesi ndjeu dhimbje muskulore që në pjesën e parë, për shtrëngoi dhëmbët, ndërsa pas ekzaminimeve të kryera paraditen e sotme, u konfirmua dëmtimi, që do ta lërë jashtë për disa ditë.
Në këto kushte, Interi do të detyrohet të bazohet vetëm te dyshja Dzeko-Lautaro për sfidën e fundjavës ndaj Sassuolos, pasi përveç Correas, mungon edhe Lukaku, që maksimumi mund të ulet në pankinë ndaj emilianëve.
Ndërkohë, vlen të theksohet se ky është dëmtimi i disatë për Correan që nuk po arrin të krijojë vazhdimësi dhe të Milano të gjithëve u vjen ndërmend Stefano Sensi, që kaloi më shumë kohë në infermieri sesa në fushën e lojës.



