Flamurtari i plotë ndaj Lushnjës, fitorja detyrim
Pas dy humbjeve radhazi në kampionat dhe kupë, Flamurtari ka mundësinë të rikthehet tek fitorja, pasi java e 20 i vendos përballë vendit të fundit. Një sfidë që nuk duket midis të barabartëve, jo vetëm për klasifikimin e deritanishëm, por edhe mënyrën se si ekipet vijnë në këtë përballje.
Trajneri kuqezinjve Shpëtim Duro ka të plotë grupin në dispozicion, teksa edhe braziliani Juffo është rikuperuar nga dëmtimi, edhe pse gjasat janë që të lihet pushim për një rikuperim të plotë të tij. Ndërkohë në krahun tjetër, Lushnja shkon në transfertën e Vlorës nën drejtimin e asistentit Dritan Çuko, duke qenë se ende nuk është vendosur për emrin e ri të stolit pas largimit, të Hysen Dedjes.
Përveç kësaj, situata në grup nuk ka qenë e mirë, pasi një pjesë e mirë e futbollistëve kanë munguar në seancat stërvitore të kësaj jave për arsye gripale, duke e bërë akoma më të vështirë përgatitjen e transfertës së Vlorës. Në formacionin e myzeqarëve rikthehet pas skualifikimit Mikel Canka, që mungoi ndaj Vllaznisë në ‘Roza Haxhiu’.
Megjithatë dueli i fazës së dytë vlen si një leksion për kuqezinjtë, të cilët morën pikët e plota vetëm falë një eurogoli të Lejdi Liçajt në kohën shtesë. Historiku i këtij dueli është i mbushur me gola të shumta, ndërkohë që fitorja e fundit e Lushnjës në Vlorë është më 15 nëntorin e vitit 2003, me rezultatin e thellë 5-1. Por sot situata është krejt ndryshe nga ajo periudhë dhe për Flamurtarin fitorja është një detyrim, për të konsoliduar pozitat në vendin e dytë.



