Flamurtari – Luftëtari, në Vlorë “x”-i s’bën punë
Kërkohet rikthimi te fitorja në Flamurtari – Luftëtari, sfidën që ul siparin e javës së 22-të në Superiore. Të dyja skuadrave vijnë pas dy barazimeve respektive me kundërshtarë në luftën e mbijetesës, ndaj Teutës ai i Flamurtarit, me Vllazninë në një ndeshje rastesh të shpërdoruara për Luftëtarin. Shenja “x” mbizotëron edhe në përballjet sezonale, të dyja të përfunduara në barazpeshë. Tjetër statistikë interesante, përballen dy skuadrat që kanë shifrat më të larta në kutinë e barazimeve, 9 për Flamurtarin, 7 të tilla për skuadrën e Hasan Likës. Kërkohet fitorja, dhe për skuadrën vlonjate është një situatë problematike me dëmtimet. Shpëtim Duro përballet me mungesa të rëndësishme, nuk do të ketë Danilo Alvesh në sulm, ashtu edhe Mustën të pezulluar për shkak kartonësh, ndërkohë që vazhdojnë të mungojnë Muarem Muarem, Juffo dhe Tounkara. “Turn over” i detyruar për trajnerin e Flamurtarit në fazën sulmuese, ndërkohë që gëzon rikthimi i Ditmar Bicajt. Flamurtari është skuadra me mbrojtjen më të mirë të kampionatit, skuadra ka ekuilibër, ndërkohë që në mungesë të brazilianit Alvesh, pritet shpërthimi i Bushicit, që kohët e fundit ka humbur kontaktet me rrjetën. Situatë krejt ndryshe te Luftëtari, me Hasan Likën që i ka të gjithë të gatshëm. Kthehet dhe Rroca për të formuar një katërshe sulmi plot talent bashkë me Bregun, Abazajn dhe Shkurtajn, ashtu si dhe kapiteni Beqiri. Në stol dy pesha të rënda të trajningut shqiptar, teknikë ekspertë si Shpëtim Duro dhe Hasan Lika. Janë të gjithë përbërësit për një përballje vërtet interesante. Derbi i jugut Flamurtari-Luftëtari fillon në orën 17:00 dhe do të transmetohet live në Supersport 3.



