Flamurtari me mendjen te kreu, por përpara duhet të thyejë tabunë Laçi
Fitorja ndaj Kastriotit ktheu humorin tek Flamurtari, pasi kuqezinjtë janë rikthyer në pjesën e sipërme të tabelës së klasifikimit me pikë të barabarta me Laçin. Pikërisht kurbinasit janë pengesa e radhës, një kundërshtar që ka rezultuar një kockë e fortë për vlonjatët. Nuk mjafton fakti që vite më parë humbën titullin kampion pikërisht në Laç, duke i dhënë mundësinë Skënderbeut të parakalonte për të marë në fund titullin, por edhe në edicionet pasardhëse trendi i rezultateve nuk ka ndryshuar. Në 19 ndeshjet e fundit të luajtura në Laç janë 9 fitore të vendasve dhe vetëm 4 për miqtë, e fundit më 16 prill të 2016-ës me rezultatin 1-2.Madje Flamurtari e ka patur të vështirë të thyejë Laçin edhe përpara publikut, duke treguar se bardhezinjtë mbeten macja e zezë për ta. Artan Mërgjyshi ka në dispozicion grupin e plotë por mbi të gjitha moralin e duhur për të shkuar në këtë ndeshje, pasi ekipi i tij është i vetmi në kampionat që nuk njeh humbje. Në një situatë të tillë 90 minutëshi i javës së 7-të shihet si një mundësi për të vijuar ecurinë pozitive, me kurbinasit që kanë vetëm dy fitore këtë edicion dhe 4 barazime, më shumë se çdo skuadër në këtë start sezoni. Për Flamurtarin kjo është një sfidë e rëndësishme, pasi duhet të thyejë tabunë Laçi por mbi të gjitha të konfirmojë pretendimet e fillim sezonit për të qënë një nga skuadrat pretendente në Superiore.



