Flamurtari, në Antalia për të rritur dozën e përgatitjeve
Flamurtari ka mbyllur përgatitjet në Vlorë, duke i lënë radhën minifazës që do të zhvillojë në Antalia. Trajneri Shpëtim Duro e ka patur të plotë grupin në seancën e radhës, duke shfrytëzuar kështu edhe ditën e fundit të qëndrimit në shtëpi. Kuqezinjtë kanë nisur si gjithmonë me humor seancën stërvitore ndërkohë që serioziteti ka vijuar më pas, ku çdo ushtrim dhe çdo lëvizje është shoqëruar nga vështrimi numrit një të stolit. Prej kohësh me grupin është bashkuar edhe kapiteni Franc Veliu, që është konsideruar si një përforcim në merkaton e dimrit nga vetë trajneri Duro, duke shtuar së tepërmi konkurencën në repartin e prapavijës. Madje në Vlorë nuk kanë humbur kohë, por kanë testuar ekipin edhe në një miqësore me të rinjtë, një 90-minutësh ku dy formacionet janë alternuar, ndërkohë që ngarkesa do të vijë në rritje pikërisht në Antalia. Në tokën turke janë parashikuar 3 sfida miqësore për të përshtatur më mirë afrimet e reja me pjesën tjetër të grupit, por mbi të gjitha edhe me idetë e trajnerit Shpëtim Duro. Avantazhi i Flamurtarit në këtë minifazë përgatitore në krahasim me edicionet e kaluara ose me shumë prej skaudrave të tjera të kampionatit është se shkon i kompletuar dhe pa patur mendjen te merkato.



