Flamurtari në krizë, por largimi i Duros do të ishte gabimi më i madh!
Padyshim që është e vështirë për të pranuar verdiktin pas një ndeshje ku ke dominuar për rreth 80 minuta kundërshtarin dhe në fund largohesh me shijen e hidhur të një disfate, aq më tepër kur skuadra nuk arrin të fitojë pas 8 takimesh. Shpëtim Duro ka vënë në diskutim në një farë mënyre pozicionin e tij pas humbjes me Kukësin, por ajo duhet të jetë më së shumti një deklaratë në të nxehtë. Flamurtari i tij vërtet në harkun e një muaji ka kompromentuar ndjeshëm pozitat në kampionat, por ky sezon është ende i tëri për tu luajtur. Para janë dy gjysmëfinale Kupe me Skënderbeun, dhë vënia në diskutim e trajnerit, do të ishte një tjetër goditje e rëndë për shanset e vlonjatëve për të bërë diçka të madhe këtë sezon. Askund tjetër më shumë se sa atje në Vlorë nuk kanë provuar në këto sezonet e fundit se ndryshimet radikale ka shumë pak gjasa të sjellin sukses, dhe një ndryshim në drejtimin e stolit pikërisht para fazës vendimtare të sezonit rrezikon t’i vërë vulën gjithçkaje. Pikepyetja për çdo tifoz, vlonjat ose jo në këtë moment është se cili është Flamurtari i vërtetë, ai që kemi parë gjatë 20-javëve kampionat apo ai i muajit të fundit, një përgjigje më korrekte do të vinte me Duron në drejtim. Është pikërisht ai që ka ndërtuar këtë skuadër, i bindur se i ka lojtarët me vete, dhe pas asaj deklarate në të nxehtë duhet të gjejë forcën për ta çuar këtë mision deri në fund, largimi i tij, do të ishte ndoshta goditja më e rëndë për Flamurtarin.



