Flamurtari, nuk mjafton vetëm dëshira!
Përralla Flamurtari duket se ka mbërritur në fundin e saj, me vlonjatët të cilët kanë befasuar me ecurinë e tyre. Një skuadër me problematika të mëdha në aspektin financiar, lojtarë të papaguar, grup i përgjysmuar pas largimeve masive të janarit. Por të gjitha këto nuk e zbehën dëshirën e kuqezinjve për të ecur përpara dhe treguar më të mirën e tyre. Zona europiane u bë një realitet i prekshëm por sfida me Partizanin tregoi se kjo skuadër ka limite. Nuk mjafton vetëm dëshira për të ecur përpara pasi vlonjatët tashmë duhet të përqafojnë realitetin.
Në fundin e sezonit sigurisht që lojtarët nisin të mendojnë për të ardhmen e tyre në një situatë kur nuk janë shlyer në aspektin financiar, largimet kanë nxjerrë zbuluar stafin i cili është detyruar të hedhë në fushë shumë lojtarë nga të rinjtë. Sikur të mos mjaftojnë të gjitha këto edhe dëmtimet ndikojnë akoma më shumë negativisht. I fundit në dhomën e infermierisë është shtuar Xhevahir Sukaj, shkodrani që në 9 sfida ka realizuar 4 gola me fanellën kuqezi duke mbajtur peshën e sulmit me prezencën e tij në fushën e lojës.
Në morinë e lajmeve negative i vetmi sinjal pozitiv është fakti që Flamurtari ka siguruar matematikisht mbijetesën për më tepër që në llogarinë e tyre kanë fitoren me Kamzën në tavolinë. Detyrimisht për të disatin sezon të rinjve të Flamurtarit i jepet një mundësi e mirë për t’u aktivizuar, edhe pse kjo jo më një strategji të përzgjedhur.



