Flamurtari, të shtunën përballë rivalëve polakë
Pogon Shteçin, skuadër që mbyll renditjen në Ekstraklasa, nivelin më të lartë të futbollit në Poloni do të jetë kundërshtari i radhës për Flamurtarin. Të shtunën, më datë 20 Janar, vlonjatët do të zhvillojnë edhe miqësoren e tretë në Antalia. Sfida do të luhet pak pas mesdite me orën shqiptare dhe do të shërbejë si epilogu i përgatitjeve të kuqezinjve, duke qenë se ekipi do të kthehet në vend pak orë më pas.
Testi përfundimtar do ti shërbejë trajnerit Duro për të vlerësuar gjendjen e lojtarëve pas përgatitjeve në tokën turke, si edhe për të patur një idetë më të qartë rreth ndryshimeve në formacionin titullar por edhe në lojë, për gjysmën e dytë të sezonit.
Gjatë qëndrimit në Antalia, Flamurtari zhvilloi edhe dy ndeshje të tjera testuese. Filliisht vlonjatët humbën minimalisht 1-0 përballë turqve të Erzurumspor, ndërsa barazuan 1-1 ndaj kazakëve të Atyrau-t, me golin e realizuar nga kapiteni Bushiç me 11-metërsh. Sipas planit stërvitor, Flamurtari do ta mbyllë fazën në Turqi të dielën e ardhshme, në datën 21 Janar. Kuqezinjtë do ti vazhdojnë përgatitjet për afro një javë në Vlorë, përpara se të rikthehen ndeshjet zyrtare me ekipin e Duros që do ta mbyllë muajin me dy përballje spektakolare në harkun e katër ditëve përballë Partizanit, në kampionat dhe në Kupë.



