Flamurtari – Teuta në 90 minutëshin e konfirmimit
Pasi mori vendin e dytë në klasifikim tashmë Flamurtari synon të ruajë këtë pozicion, pavarësisht se java e 12 e vendos me një rival të vështirë si Teuta. Kuqezinjtë po bëjnë kampionatin e tyre, pa vendosur objektiva madhorë dhe larg zhurmës së zakonshme. Triumfi ndaj Lushnjës u jep moral vlonjatëve të cilët tashmë duhet të mësohen me presionin e pozicionit në klasifikim për të synuar një ecuri të mirë deri në fund. Pas humbjes në javën e parë Flamurtari ka regjistruar 5 fitore dhe 5 barazime, një ecuri që ka rikthyer entuziazmin e munguar në Vlorë. Lajme të mira vijnë nga infermieria pasi kapiteni Tomislav Busic duket të jetë gati edhe pse konfirmimi pritet të jepet në momentet e fundit. Gjithashtu rikthehet me grupin nga skualifikimi edhe qendërmbrojtësi Ditmar Bicaj që pritet të shtojë opsionet në repartin e prapavijës për trajnerin Shpëtim Duro. Dy fitoret radhazi i kanë dhënë qetësi Teutës që për momentin ka harruar ecurinë negative të fazës së parë. Trajneri Magani ka grupin e plotë në dispozicion dhe përballë Flamurtarit kërkon të ruajë ritmin në mënyrë që të evitojë katastrofën e fazës së parë. Interesant është rikthimi në Vlorë i trajnerit dhe kapitenit të Teutës, që vijnë me statusin e ishit. Në këtë 90 minutësh, Flamurtari duhet të bëjë llogaritë me stadiumin e boshatisur, për shkak se dyert e impiantit janë mbyllur pas ofendimeve të tifozerisë në sfidën me skënderbeun. Në 24 ndeshjet e fundit midis tyre në Vlorë janë 13 fitore për vendasit dhe vetëm 4 për miqtë, ndërkohë që 7 janë duelet e mbyllura në barazim.



