Flet Onana: Ajaxi në zemrën time, ja pse refuzova rinovimin
Portieri i Ajaxit, por që ka firmosur me Interin dhe do t’u bashkohet zikaltërve verën e ardhshme, ka folur për mediat holandeze, ku ka shpjeguar edhe shkakun pse refuzoi rinovimin me skuadrën nga Amsterdami.
Gardiani kamerunas zbuloi se oferta e bërë nga drejtuesit e Ajaxit, ishte sa gjysma e pagës që ai kishte në kontratën aktuale dhe pikërisht për këtë arsye refuzoi të firmosë zgjatjen e bashkëpunimit e të largohet me parametra zero.
“Fakti që unë nuk arrita një marrëveshje me Van Der Sar dhe Overmaars, nuk do të thotë që nuk e dua Ajaxin. Përkundrazi, prioriteti im ka qenë të rinovoj kontratën, por pas asaj që ndodhi me pezullimin, drejtuesit më ofruan zgjatjen me pagë të përgjysmuar. Mendova se kjo ishte e padrejtë, megjithatë do të bëj më të mirën time deri ditën e fundit që do të jem këtu”, u shpreh Onana.



