Formacioni më i mirë deri në javën e 18-të, tre ndryshime në repartin e mbrojtjes
Në emisionin Analizë Superiore në Supersport nën drejtimin e Sokol Xhihanit dhe me pjesëmarrjen e videoanalistit të kombëtares, Fatjon Bardhi është publikuar edhe formacioni më i mirë deri në javën e 18-të Abissnet Superiore. Në krahasim me javët e kaluara, formacioni ka pësuar ndryshim teksa spikasin tre prurje të reja dhe të gjitha risitë vijnë në repartin difensiv.
Kështu, në vend të Emiliano Mustës në korsinë e majtë të mbrojtjes është vendosur Ilir Allmuça, lojtari i Egnatias. Madje, në ndeshjen e fundit të rrogozhinasve ndaj Dinamos, mbrojtësi është shpallur edhe lojtari i ndeshjes. Ndërkaq, një tjetër lëvizje në formacionin e javës është edhe Bruno Lulaj, me futbollistin e Kukësit që ka humbur pozicionin e tij në qendër të mbrojtjes.
Tashmë, në vend të Lulajt është vendosur mbrojtësi i Vllaznisë, Mevlan Adili. Ky i fundit ka qenë shumë konstant në këtë sezon dhe një pikë kyçe e formacionit të trajnerit Thomas Brdaric. Ndërkohë, lëvizja e fundit në formacion ka të bëjë me Gurishtën, i cili ka humbur pozicionin dhe në vendn e tij tashmë është Albion Marku.

Quiz/ Sa mirë e njihni Ligue 1?



