FOTO/ Anglia zgjedh hotelin për Botërorin: Grumbullohen në një fshat peshkatarësh, luks dhe plazh privat!
Eventi më i madh futbollistik është padyshim Botërori, teksa ai i Katarit të këtij viti është çdo ditë e më pranë. Në këtë formë, kombëtaret të cilat tashmë e kanë prerë një biletë për këtë edicion, kanë nisur të mendojnë për detajet ndërsa Anglia është një nga ato që ka zgjedhur edhe hotelin ku do të qëndrojë e grumbulluara përgjatë turneut.
Kështu, Tre Luanët kanë përzgjedhur hotelin Souq Al-Wakra, i cili ndodhet në një fshat të vogël të quajtur Al Wakrah dhe që njihet për peshkim teksa ndodhet 10 milje në jug të Dohas. Ai që ka përzgjedhur hotelin ka qenë trajnerit Gareth Southgate, i cili e ka marrë këtë vendim në bazë të logjistikës që hoteli ofron, por edhe faktit se ndodhet pranë stadiumeve që do të luhen ndeshjet e Botërorit.
Në këtë formë, Tre Luanëve nuk do t’iu duhet të përshkruajnë shumë kilometra, ndërsa Federata e cila ka vizituar këtë hotel në muajin e kaluar ka miratuar përzgjedhur e trajnerit, ndërsa ia kanë dalë të sigurojnë edhe stadiumin Saoud bin Abdulrahman i cili do t’i shërbejë anglezëve për të kryer seancat stërvitore gjatë turneut.
Ndërkaq, hoteli ofron edhe anën luksoze teksa lojtarët mund të relaksohen në SPA, por më e rëndësishmja, të ofron një plazh ekzkluziv ku Kane me shokë mund të pushojnë pa u shqetësuar nga vizitorët e ndryshëm.
Sakaq, hoteli ofron edhe një sallë mbledhje e cila do t’i shërbejë trajnerit Southgate për të bërë analizat e ndryshme para dhe pas ndeshjeve të Botërorit, ndërkaq në ambientet e hotelit nuk do të ketë pije alkoolike dhe lojtarët mund të kënaqen vetëm me pije të lehta për të qenë gjatë gjithë kohës me mendjen tek fusha e blertë.
Mbetet tashmë për t’u parë nëse hoteli i përzgjedhur me kaq kujdes nga Southgate dhe Federata do t’i japë një dorë Anglisë për të triumfuar për herë të dytë në një Kupë Bote, teksa finalistët e Europianit të fundit janë padyshim një nga kombëtaret favorite për triumfin final.










