Foto/ Nga vëllezërit Selmani, te ish sulmuesi i Vllaznisë, Kastrioti prezanton blerjet e reja
Pas 15 javësh zhgënjim në kampionat, ku arriti të grumbullojë vetëm 8 pikë dhe pozicionohet në vendin e fundit, Kastrioti është treguar mjaft aktiv në merkaton e janarit, duke afruar plot 5 futbollistë, të cilët kanë kompletuar jo pak organikën e klubit krutan.
Bëhet fjalë për futbollistë, për të cilët SuperSport ka njoftuar edhe më herët se u janë bashkuar krutanëve, por që vetëm pasditen e sotme ka ardhur edhe prezantimi zyrtar i tyre, ndërsa nesër pritet të jenë në dispozicion të trajnerit Emiliano Çela për ndeshjen ndaj Teutës.
Kështu bëhet fjalë për vëllezërit, Adolf dhe Santiago Selmani, të cilët vijnë pikërisht nga klubi durrsak dhe ndeshjen e parë me fanellën krutane, do ta luajnë ndaj të shkuarës, pasi ishin pjesë e Teutës deri në fund të vitit të kaluar.
I pari pritet t’u rikthejë soliditetin në mbrojtje krutanëve, ndërsa Santiago është një sulmues i talentuar, që kërkon të marrë hapësirat e tij dhe të tregojë cilësitë në Superiore.
Sa i përket sulmit, te Kastrioti është afruar edhe braziliani Kaina Nunes Amarante, i cili deri në fund të vitit ishte pjesë e Vllaznisë, teksa me kuqeblutë luajti shumë pak dhe shënoi vetëm një gol në transfertën ndaj Laçit, në ndeshjen hapëse të kampionatit.
Afrime ka pasur edhe në mesfushë, pasi me Kastriotin janë bashkuar Xhoi Hajdëraj dhe Yousuf Zetuna, të cilët do të rritin konkurrencën dhe cilësinë në një grup, që në 15 javët e para tregoi mangësi jo vetëm teknike, por edhe në numra.
Me afrimin e këtyre futbollistëve, por edhe të një trajneri të ri si Emiliano Çela, shtohet kurioziteti për Kastriotin e pjesës së dytë të sezonit, që do të ketë objektiv primar mbijetesën, ndonëse ka mbetur shumë mbrapa në renditje.








