“Frymëzon dhunën”, në Katar rivendosin statujën e famshme Zidane-Materazzi
Një nga momentet më epike dhe që do të mbetet në historinë e të gjithë edicioneve së Kupës së Botës, do të jetë ajo goditje me kokë e Zinedine Zidane në finalen e 2006-tës ndaj Marco Materazzit. Episodi ishte aq i bujshëm sa në vitin 2013 u vendos të përjetësohej në Katar me anë një statujë bronzi të gjatë pesë metra.
Mirëpo, vetëm disa ditë më pas teksa u krijuan shumë polemika, u vendos që statuja të hiqej me arsyen se promovonte dhunën, ndërsa kishte edhe nga ata që e kundërshtonin për faktin se iu dukej anti-islamike.
Në këtë formë, vepra e artit u transferua në muzeun e artit modern arab në Doha. Gjithsesi, tashmë që na ndajnë pak muaj nga Kupa e Botës e cila do të zhvillohet pikërisht në Katar, autoritetet vendase kanë vendosur të rikthejnë në ekspozim statujën e famshme. Këtë e ka konfirmuar presidenti i muzeut të Katarit, sheiku al-Mayassa al-Thani.

“Evolucioni është pjesë e shoqërisë, njerëzit mund ta kritikojnë diçka në fillim, por duhet kohë dhe më pas mësohen me diçka të re dhe e kuptojnë. Zidane është një mik i madh i Katarit dhe është një model për botën arabe. Arti, ashtu si gjithçka tjetër është çështje gustoje”, u shpreh al-thani.
Pritet që me tifozët e shumtë të cilët do të mbërrijnë në Katar nga e gjithë bota, statuja e cila fikson momentin kur Zidan godet me kokë Materazzin të jetë një nga më të vizituarat dhe të preferuara e turistëve.



