Futboll

Fundjavë e suksesshme për kuqezinjtë, gola dhe minuta të shumta në fushë

Mund të konsiderohet një fundjavë e mirë për legjionarët tanë kjo që sapo përfundoi, pasi shumë prej tyre morën minuta të plota, ndërsa pati edhe gola dhe rikthime në fushën e lojës për kuqezinjtë.

Azdren Llullaku dhe Ergys Kaçe kanë gjetur golin gjatë fundjavës, edhe pse vetëm ai i shënuar nga sulmuesi në fund ka rezultuar me peshë. 30-vjeçari ka hyrë në fushën e lojës në minutën e 79′, kur sfida Astra – Concordia ishte fiksuar në shifrat 2-1 dhe 9 minuta më pas shënon golin e qetësisë në duelin që përfundoi 3-1.

Mesfushori korçar realizoi golin e barazimit të përkohshëm në humbjen e Panathinaikos, në trasfertën ndaj Ofit të Kretës. Në minutën e 36′ shtat-shkurtri shënon një gol jo të zakontë, pasi shfrytëzon një krosim për ta dërguar me kokë topin në rrjetë.

Në serinë A janë aktivizuar pothuajse të gjithë titullarët. Elseid Hysaj ka qenë në fushë për 90 minuta në fitoren 4-0 të Napolit ndaj Frosinones, duke luajtur në krahun e djathtë të mbrojtjes. Titullar i padiskutueshëm tek Lazio, ishte edhe Thomas Strakosha, që nuk ka mundur të evitojë barazimin në shtëpi ndaj Sampdorias, që erdhi në sekondat e fundit të sfidës.

Federik Veseli konsiderohet si një nga shtyllat e mbrojtjes tek Empoli, duke qenë në fushë për 90 minuta në fitoren që toskanët morën në shtëpi ndaj Bolognës. Ky sukses largon përkohësisht skuadrën e mbrojtësit nga zona e ftohtë e rënies.

Një paraqitje e mirë edhe për Etrit Berishën që ndihmoi Atalantën në fitoren e rëndësishme ndaj Udineses në Friuli. Me këtë sukses bergamaskët i rikthehen pretendimeve për zonën europiane, ndërkohë që Berat Gjimshiti nuk ka qenë i grumbulluar për këtë duel.

Në Serinë B, Giacomo Vrioni vijon të jetë titullar i padiskutueshëm tek Venezia, ashtu si Elhan Kastrati dhe Ledian Memushaj tek Pescara. Ekipet e tyre ia dolën të triumfonin duke qëndruar brenda objektivave.

Nëse Kaçe shënoi në kampionatin helen, Mërgim Mavraj dhe Migjen Basha ishin titullarë në humbjen e ARIS-it në transfertën ndaj Atromitos. Pas aktivizimit në kupë, Sidrit Guri fiton minuta edhe në kampionat, në fitoren minimale të Oostendes ndaj Lokeren.

Arlind Ajeti dhe Bujar Lika nuk arrijnë të shmangin humbjen shtëpiake të Grasshoper ndaj Luzernës në kampionatin zviceran. Ardian Ismajli ka fituar statusin e titullarit tek Hajduku, duke qenë në fushë për 90 minuta në suksesin me përmbysje ndaj Istras. 90 minuta të plota në fushë ka edhe patur Eros Grezda në transfertën e Rangers ndaj Dundee, e mbyllur në barazim 1-1.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency