Futbolli shqiptar në zi, ndahet nga jeta Ramazan Rragami!
Futbolli shqiptar në zi. Ish-futbollisti i kombëtares kuqezi dhe një nga emrat më të shquar të futbollit shqiptar Ramazan Rragami ka humbur jetën këtë të shtunë. në moshën 77-vjeçare. Legjenda e skuadrës së Vllaznisë ka mbyllur sytë për herë të fundit, teksa prej disa kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë.
I lindur në prill të vitit 1944, Rragami debutoi pa i mbushur 17-vjeç, në shkurt të vitit 1961, teksa zbriti në fushë me uniformën e Vllaznisë në takimin ndaj Flamurtarit. Më pas u transferua tek Partizani deri në vitin 1968, për t’u riveshur sërish më pas me ngjyrat kuqeblu deri në fund të sezonit 1974-1975, për ta mbyllur më pas karrierën tek skuadra e Dinamos.
Me fanellën kuqezi, Rragami numëron 20 prezenca, duke qenë dhe shënuesi në fitoren e parë të Shqipërisë në një kualifikuese të Kupës së Botës, kundër Finlandës në 1973.
Si trajner e nisi karrierën tek Vllaznia duke fituar titullin kampion në 1982-1983. Si ndihmës trajner i i Shqipërisë U-21, së bashku me Shyqyri Rrelin , duke e shpallur skuadrën kampione Ballkani në vitet 1978 dhe 1981, ndërsa si trajner i parë i dërgoi shpresat deri në çerekfinalet e kampionatit evropian.
Për arritjet në futboll Rragami është nderuar me disa çmime teksa në në vitin 1967 mori titullin “Mjeshtër Sporti” dhe në 1974 titullin “Mjeshtër i Merituar i Sportit”. Në vitin 2004 Federata Shqiptare e Futbollit i dha titullin “Nderi i futbollit shqiptar” ndërsa në vitin 2019, mori titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.



