“Futbolli s’më kënaqte më, doja të tërhiqesha”, 26-vjeçari rrëfen momentin e errët te Lazio
Lazio shpenzoi 10.5 milionë euro për të siguruar shërbimet e Denis Vavro nga Copenhagen në verën e vitit 2019. Qendërmbrojtësi sllovak (12 ndeshje dhe 1 gol me kombëtaren) vinte nga dy sezone fantastike me kampionët e Danimarkës, por aventura në Itali nuk shkoi aspak siç e priste.
Në sezonin e parë arriti të fitojë Superkupën, por duke u aktivizuar fare pak. Sezoni i dytë me bardhekaltrit ishte edhe më i keq. Në fillim përjashtimi nga lista e Champions League dhe më pas përfundimi në tribunë.
Lazio e huazoi te spanjollët e Huescas janarin e vitit të kaluar. 26-vjeçari u rikthye në verë në Formello, por Sarri nuk e kishte në planë dhe Igli Tare e huazoi te Copenhagen, aty ku ka fituar sërish dëshirën për të luajtur futboll.

Në një prononcim për Discovery+, Vavro zbuloi se ishte shumë afër tërheqjes nga futbolli aktiv ndërkohë që ishte pjesë e bardhekaltërve italianë. “Mendova se karriera ime erdhi drejt fundit.
Për mua nuk kishte më ndryshim nëse përfundoja në stol ose tribunë. Isha i rënduar psikologjikisht, koka ime ishte e lodhur. I thashë agjentit tim se nuk më pëlqente më të luaja futboll…
Fola edhe me familjarët e mi, u thashë atyre se do të qëndroja te Lacio derisa të më përfundonte kontrata (2024), do të fitoja paratë dhe pastaj do t’i jepja fund karrierës sime. Nuk më pëlqente më futbolli. Unë nuk shikoja më ndeshje në TV, vetëm filma”, theksoi shtatlarti sllovak.



