Gabigol nuk gjen qetësi as te Benfika
Erdhi te Interi në fundin e verës së kaluar dhe u prezantua në një ceremoni të denjë për kampionë të vërtetë, por sulmuesi brazilian Gabigol nuk justifikoi aspak investimin e bërë për të.
Pas një sezoni te zikaltrit, ku nuk gjeti hapësira të mjaftueshme me asnjë prej 4 trajnerëve të ndërruar, braziliani pranoi një huazim te portugezët e Benfikës, me qëllim që të luajë më shumë dhe të fitojë formën sportive.
Por vetëm pas 2 muajsh, Gabigol ka gjetur sërish shumë pak hapësira edhe te Benfika dhe së fundi po e shikon veten tërësisht jashtë planeve të trajnerit të portugezëve. Kjo situatë ka shqetësuar jo vetëm futbollistin, por edhe vetë klubin zikaltër, që i ka kërkuar Benfikës t’i japë hapësira, ose të prishet marrëveshja e huazimit.
Ausilio po studion ndonjë destinacion tjetër në Serinë A, për sulmuesin, por vetë Gabigol kërkon rikthimin në Brazil, aty ku ka arritur të nxjerrë në pah formën më të mirë sportive.



