Gega e Burraj, të parët në Europianin ekipor në Maqedoninë e Veriut
Paraqitje e mirë e sportistëve kuqezi në Kampionatin Europian ekipor të atletikës. “Mbretëresha” e atletikës shqiptare, Luiza Gega, arriti të bindte dhe të fitonte në garën e 3000 metrave me pengesa në Ligën e 3-të të turneut kontinental të atletikës, që po mbahet në Shkup.
Luiza Gega e ndali kronometrin në 9 minuta 25 sekonda e 80 të qindtat dhe ishte vetmja atlete në pistë që zbriti nën kohën e 10 minutave. Pas saj e kaloi finishin armenia Alaverdian, ndërsa e fundit në podium u ngjit serbja Jovanovic.
Paraqitjet e mira të shqiptarëve në Europianin që po zhvillohet në Maqedoninë e Veriut nuk u ndalën me kaq. Franko Burraj spikati në garën e 400 metrave me vendin e parë, madje duke vendosur edhe një rekord të ri kombëtar. Shqiptari Burraj ndali kronometrin në 46 sekonda e 48 të qindat.



